In principio revolutionis indvstrialis machina erat

Njoftime

Ndahet nga jeta Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike, Prof. Dr. Kostaq Hila

Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike, Prof. Dr. Kostaq Hila

Sot humbi një nga figurat më të respektuara të akademisë shqiptare. Prof. Dr. Kostaq Hila u nda nga jeta, duke lënë pas një trashëgimi të pasur shkencore dhe akademike që do të mbetet gjithmonë e gjallë në kujtesën tonë.

Prof. Hila ishte një studiues i shquar i matematikës së aplikuar, me kontribute të dalluara në teorinë e strukturave algjebrike dhe jo vetëm. Puna e tij shkencore, e materializuar në më shumë se 140 publikime në revista të indexuara ndërkombëtarisht, e vendosi atë në radhën e matematikanëve më të respektuar në arenën botërore.

Si pedagog me dhunti të rralla, Prof. Hila formoi breza të tërë inxhinierësh dhe matematikanësh, duke transmetuar jo vetëm njohuri teknike, por edhe metoda rigoroze kërkimi dhe pasion për kërkimin shkencor. Mentorimi i tij ndaj studentëve të doktoraturës dhe bashkëpunimi i tij me institucione prestigjioze ndërkombëtare, kanë kontribuar në ngritjen e profilit kërkimor të universitetit tonë.

Angazhimi i tij, si Kryetar i Komisionit për Promovimin e Personelit Akademik dhe anëtar i Senatit Akademik UPT, dëshmon përkushtimin e tij ndaj zhvillimit institucional dhe përmirësimit të standardeve akademike.

Prof. Hila do të mbahet mend si një intelektual i vërtetë, një kërkues i paepur i së vërtetës shkencore dhe një kontribues i pazëvendësueshëm në misionin tonë akademik dhe kërkimor.

I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe kolegëve.

Prehu në paqe, Profesor!
Kontributi juaj do të jetë i pavdekshëm.